Veseli: Do të përmbushim çdo kriter të Agjendës për Reforma Evropiane
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur sot një takim të përbashkët me anëtarët e Komisionit për Legjislacion dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, për të diskutuar lidhur me projektligjet që lidhen me Agjendën për Reforma Evropiane (ERA).
Kryeparlamentari ka thënë se për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e vendit, agjenda e integrimit evropian është prioritet i cili nuk ndërlidhet vetëm më standardet apo kriteret të cilat mund të jenë të momentin akut, por ka të bëjë me vet perspektivën euroatlantike.
Ai ka treguar se aktualisht në procedurë të shqyrtimit nga ana e Komisionit për Legjislacion janë katër projektligje të proceduara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat ndërlidhen me reformat në sistemin e drejtësisë, por që ende nuk janë proceduar në seancë.
Veseli ka thënë se bëhet fjalë për Kodin Penal, Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe për Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme.
“Kjo reformë në sistemin e drejtësisë dhe integrimet evropiane, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi në momente të caktuara, janë çështje të cilat duhet të na bashkojnë”, ka theksuar Veseli.
Ndërkohë shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalya Apostolova, ka thënë se këto ligje do të duhej miratuar më parë, ndërsa ka bërë me dije se në fund të nëntorit pritet të bëhet një vlerësim i miratimit të legjislacionit që lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërsa kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë se katër ligjet e përmendura janë në procedurë të shqyrtimit në komision, përkatësisht në grupe punuese dhe së shpejti pritet të procedohen tutje.
Duke dhënë sqarime për secilin projektligj veç e veç, Haxhiu ka theksuar se duhet të kihet parasysh se komisioni që ajo drejton është mjaft i ngarkuar me punë dhe shqyrtimi i projektligjeve me procedurë të përshpejtuar mund të përcillet me probleme në zbatimin e tyre.
Pas diskutimeve të anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, kryeparlamentari Veseli ka theksuar se Kuvendi, përkatësisht Komisioni për Legjislacion, merr përgjegjësinë të procedojë këto projektligji gjatë këtij muaji.
“Ideja është shumë e qartë: ne do të lëvizim drejt BE-së, do të përmbushim çdo kriter që ka të bëjë me agjendën e reformave evropiane. Ky ishte edhe zotimi që dhamë në komision. Përkrahja e Zyrës së BE-së është shumë e sinqertë dhe shumë e drejtpërdrejtë”, ka deklaruar Veseli pas takimit.
/Epoka e re/