Veseli: Dr. Sami Gjoka si mjek dhe ushtar ishte i guximshëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka reaguar me rastin e vdekjes së kardiologut të njohur nga Drenasi, dr. Sami Gjoka.
“Vdekja e kardiologut të njohur nga Drenasi, Dr. Sami Gjoka, na pikëlloi shumë”, ka thënë Veseli.
Veseli përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kontributi i tij ishte i pandalshëm dhe i jashtëzakonshëm, sidomos në kohën e luftës.
“Si mjek dhe ushtar i guximshëm, ishte kudo që kërkohej për t’u dalë në ndihmë bashkëluftëtarëve. Do të mbahet në mend gjatë edhe për humanizmin e tij, edhe për zellin dhe gatishmërinë që të ndihmonte në institucionet e ndryshme shëndetësore ku punoi. Largimi i Samiut nuk është humbje vetëm për familjen e tij, por është humbje e madhe për të gjithë. Ai e la punën e tij si shembull se si duhet të punojmë sot në këto rrethana të vështira. Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka shkruar Veseli.
/Epoka e re/