Veseli e Delawie: Është momenti i fundit për ratifikimin e demarkacionit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të martën në takim ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për seancën e nesërme plenare ku pritet të ratifikohet Marrëveshja për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila i hap rrugë liberalizimit të vizave.
Kryeparlamentari Veseli e ka informuar ambasadorin Delawie për takimet dhe konsensusin e arritur mes subjekteve politike të pozitës dhe një pjesë të opozitës për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit.
Veseli është shprehur optimist se marrëveshja e cila do t’i hapë rrugë lëvizjes pa viza të qytetarëve të Kosovës në Zonën Shengen do të miratohet në seancën e së mërkurës.
Kryeparlamentari Veseli dhe ambasadori Delawie janë pajtuar se është momenti i fundit që Kosova ta ratifikojë këtë marrëveshje, për t’i zënë afatet e nevojshme për heqjen e vizave gjatë këtij viti.
Ndërsa ambasadori amerikan, Greg Delawie, e ka vlerësuar rolin e kryeparlamentarit Veseli në gjetjen e konsensusit brenda spektrit politik, ndërsa ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Republikën e Kosovës në të gjitha fushat.