Veseli e Haradinaj bëjnë homazhe në Gllogjan
Në përkujtim të 21-vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, gjeneralmajor, Luan Haradinaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Pas homazheve, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se janë mbledhur për të përkujtuar një atdhetar të shquar të përmasave kombëtare, Ismail Haradinaj, ideolog i çështjes kombëtare, prijës i lëvizjeve të hershme për lirinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, njëkohësisht për luftëtarin e hershëm Luan Haradinaj, i cili po ashtu ishte nga brezi i parë i luftëtarëve dhe veprues në veprimet e para për liri, mbështetës për mbarëvajtje dhe funksionim të UÇK-së, e deri në komandim.
“Këtë nder sot e kanë bërë të madh të gjithë pjesëmarrësit me prezencën e tyre”, është shprehur kryeministri Haradinaj, duke falënderuar të gjithë ata që bënë nderim në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, kryetarin e Parlamentit Kadri Veseli, familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët e gjallë dhe gjithë të tjerët.
Homazhe po ashtu u bënë edhe pranë shtatores së dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj në Deçan dhe heroit të kombit, Sali Çekaj.
Të pranishëm në homazhe ishin familjarë, përfaqësues institucional nga pushteti qendror dhe lokal, deputetë, kryetarë komunash, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.
/Epoka e re/