Veseli e Haradinaj mirëpresin zgjedhjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese
Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë uruar për përzgjedhjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët sot u votuan nga Kuvendi i Kosovës.
Veseli gjykatësve të sapozgjedhur u ka uruar punë të mbarë dhe efektive në vazhdimin e traditës së mirë që ka krijuar Gjykata Kushtetuese.
“Sot Kuvendi i Kosovës përzgjodhi anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ndonëse shtet i ri, Kosova është dëshmuar shembulli më pozitiv, në rajon e më gjerë, i funksionimit të drejtësisë kushtetuese. Gjykatësve të sapozgjedhur iu urojmë punë të mbarë dhe efektive në vazhdimin e traditës së mirë që ka krijuar Gjykata Kushtetuese, por edhe avancim të standardeve që kërkohen prej saj. Kjo merr rëndësi të veçantë, nga fakti se, nga sot, Gjykata Kushtetues e Kosovës, është një institucion tërësisht i kosovarizuar, meqë më nuk do të ketë anëtarë ndërkombëtarë në përbërjen e saj”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se me përzgjedhjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Remzije Istrefi-Peci, Nexhmi Rexhepi dhe Safet Hoxha, sot u përmbyll një proces i rëndësishëm i sundimit të ligjit.
“Tre gjyqtarëve të rinj, punë të mbarë dhe integritet në mbrojtje të kushtetutshmërisë”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/