Veseli e Hoxhaj urojnë Bob Dolen për Medaljen e Artë të Kongresit
Kryeparlamentari, Kadri Veseli dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kanë uruar ish-senatorin Bob Dole për Medaljen e Artë të Kongresit për shërbimin ndaj vendit të tij.
Veseli ka thënë se Dole është një hero jo vetëm për popullin amerikan por edhe për popullin shqiptar.
“Një ndër miqtë më të mëdhenj të Kosovës, ish-senatori Bob Dole, është nderuar me çmimin më të lartë civil në SHBA, Medaljen e Artë të Kongresit ‘për shërbimin ndaj vendit’. Senatori legjendar Dol është mik i madh i Kosovës dhe për dekada me radhë ka qenë një ndër mbështetësit më të zellshëm në përpjekjet e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci”, ka shkruar Veseli në profilin e vet në “Facebook”.
Ai më tutje ka shkruar se, “Bob Dole, ka nisur rezolutën e parë të bërë në Kongresin e SHBA-ve për popullin shqiptar në Jugosllavi në vitin 1986. Në vitin 1990, në kohën e represionit të okupatorëve, ai ka vizituar Kosovën për të parë gjendjen nga afër duke ndikuar ndjeshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes sonë. Prandaj, i përcjell urimet më të mira për këtë çmim të marrë atij, që është hero jo vetëm për popullin amerikan por edhe për popullin shqiptar”.
Kurse Hoxhaj ka thënë se Dole është hero i gjallë i Amerikës, dhe mik i madh i Kosovës.
“Një mik i vërtetë i Kosovës dhe hero i gjallë i Amerikës, Senatori Bob Dole u nderua dje me medaljen më të lartë për Merita Civile nga Kongresi Amerikan në praninë edhe të Presidentit Trump. Kemi qenë të bekuar për mbështetjen e tij që në fillim të viteve 90-ta kur e vizitoi Kosovën duke u bërë një avokat i të drejtave të shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës. Një shenjë e miqësisë dhe lidhjeve të forta që kemi me SHBA-në”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e vet në “Facebook”.