Veseli e Ismaili në Drenas: Reformat në shëndetësi do të vazhdojnë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, shefin e UNICEF-it të enjten në Drenas ka përuruar nisjen e programit të ri shëndetësor për vizitat e mjekëve nëpër shtëpitë e nënave shtatzëna dhe atyre që kanë lindur, duke iu lehtësuar shërbimet shëndetësore.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se nëpërmjet këtij projekti po shkohet drejtpërdrejt tek qytetarët dhe familjet, fillimisht nëpërmjet qendrave të mjekësisë familjare.
“Kjo është një politikë dhe një strategji, për të cilën e përgëzoj ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili është duke bërë mirë punën e vet. Është e rëndësishme që kemi filluar reformat në sektorin e shëndetësisë. Nuk ka qenë e lehtë të bëhen ndryshimet e deritashme, qoftë në përmirësimin e kushteve të punës, qoftë në përmirësimin e kushteve materiale të stafit shëndetësor”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se puna e nisur nuk do të ndalet dhe ministri Ismaili ka një vizion të qartë për transformimin rrënjësor të sistemit shëndetësor, për të siguruar shërbime të shpejta dhe cilësore për qytetarët tanë.
“Ne do të jemi te pacienti, te qytetari. Jemi të vetëdijshëm që ende, edhe sot, edhe pse ka përmirësime, qytetarët ballafaqohen me disa mungesa të barnave esenciale, por ne do të jemi përkrah tyre deri në fund. Nuk do të lejojmë që të ketë mjekë të papunë, ndërsa në anën tjetër të ketë mungesë të mjekëve nëpër klinika”, ka thënë Veseli, duke falënderuar UNICEF-in për mbështetjen e këtij projekti dhe projekteve të tjera.
Gjatë takimit me personelin shëndetësor në Drenas dhe bashkëbisedimit me mjekë dhe infermierë, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i ka siguruar ata se vitin e ardhshëm në Drenas do të ndërtohet një objekt i ri për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Ismaili ka thënë se reformat në shëndetësi do të vazhdojnë, duke shtuar kujdesin shëndetësor për pacientët por edhe duke përmirësuar kushtet për personelin shëndetësor.
I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, i cili falënderoi kryeparlamentarin Veseli dhe ministrin e Shëndetësisë për mbështetjen e Komunës së Drenasit.
Drenasi është komuna e 16-të ku ka nisur zbatimi i këtij programi, i hartuar në bashkëpunim me UNICEF-in.
Drejtori i kësaj organizate në Kosovë, Murat Sahin, ka thënë se vizioni i UNICEF-it është që çdo fëmijë të ketë jetë të shëndetshme dhe pastaj edhe arsim më të mirë.
“Partneriteti që kemi në Kosovë me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili është model edhe për vende tjera. Ky program ka për qellim që secila grua shtatzënë dhe nëna që ka lindur fëmijë, t’i kenë gjatë dy viteve shtatë vizita të mjekëve në shtëpitë e tyre. Gjatë 2018 në mbarë komunat ku e realizojmë këtë projekt, janë kryer mbi 15 mijë vizita në shtëpi. Dua ta falënderoj kryetarin e Kuvendit i cili na ka mbështetur vazhdimisht në realizimin e programeve tona në Kosovë”, ka thënë Sahini.
Kryeparlamentari Veseli i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë dhe mjekë të QKMF ka vizituar edhe në familje për të parë nga afër zbatimin e këtij projekti i cili është mirëpritur nga nënat shtatzëna.