Veseli e Markoviqi pajtohen për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në një takim kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviq, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Kryetari Veseli dhe kryeministri Markoviq, kanë theksuar se Kosova dhe Mali i Zi janë shtete mike, që kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë njëra-tjetrën në integrimet euroatlantike. Në këtë drejtim ata kanë shprehur gatishmërinë për të zgjidhur me dialog çdo çështje mes palëve, përfshirë edhe demarkacionin.
Kreyeparlamentari Veseli ka theksuar nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe që të dy vendet, Kosova dhe Mali i Zi, përveç në integrimet euroatlantike, të punojnë ngushtë në forcimin e raporteve ekonomike.
Ai ka thënë se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë, shërbejnë si ura të forta për avancimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.
Kryeparlamentari Veseli i ka konsideruar pozitive dhe të rëndësishme vendimet e shtetit malazez për themelimin e Komunës më shumicë shqiptare të Tuzit dhe miratimin e vendimit i cili parasheh zyrtarizmin e gjuhës shqipe në komunat në të cilat shqiptarët përbëjnë mbi pesë për qind të popullsisë.
Më tutje, ai ka theksuar rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të rrugës Deçan-Plavë, e cila, siç tha ai, do të lehtësonte ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit, por do të kishte efekte pozitive edhe në shkëmbimet tregtare midis dy shteteve.
Veseli ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’i dhënë komunitetit malazez në Kosovë hapësirën e nevojshme kushtetuese, duke i hapur rrugë kështu integrimit më të madh të tij në institucione.
Ndërsa kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka vlerësuar raportet në mes të dy vendeve si shumë miqësore, duke shprehur përkushtimin e Malit të Zi që të ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike.