Veseli e Meta bëjnë thirrje për unitet politik për dialogun me Serbinë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të cilin e ka informuar për zhvillimet politike në vend dhe për fazën finale të dialogut me Serbinë.
Kryeparlamentari Veseli ka theksuar qëndrimin e Republikës së Kosovës se në fazën finale të dialogut Kosova synon njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hapjen e rrugës për anëtarësim në OKB, NATO, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Veseli ka theksuar se në këtë proces institucionet e Kosovës duhet të jenë të unifikuara dhe të ketë konsensus të gjerë nga forcat politike parlamentare.
Ai ka thënë se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të pacenuar dhe të panegociueshëm.
Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi, të cilët po ashtu theksuan nevojën e arritjes së konsensusit të brendshëm për fazën finale të dialogut.
Presidenti shqiptar Ilir Meta ka thënë se Shqipëria po ndjek nga afër këtë proces dhe do të jetë e gatshme ta ndihmojë Kosovën në të gjitha fazat.
Ai ka theksuar se në procesin e dialogut, shteti i Kosovës duhet të ketë konsensus të gjerë politik.
Sipas Metës, edhe partitë opozitare duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të gjithë së bashku të ndërtojnë platformë shtetërore dhe ekip për dialogun.
/Epoka e re/