Veseli nga ShBA-ja: Edhe pak ditë FSK-në do ta bëjmë ushtri të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ishte i nderuar me vizitën që pati në Gardën Kombëtare të Iowa-s, në ShbA.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kjo gardë ka qëndruar pranë Forcës së Sigurisë se Kosovës që nga themelimi i saj.
Veseli ka theksuar se Kosova është krenare për miqësinë e shenjtë që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pata nderin e veçantë të vizitoj Gardën Kombëtare të Iowa-s. Kjo gardë ka qëndruar pranë Forcës së Sigurisë se Kosovës që nga themelimi i saj, duke e mbështetur në forma të ndryshme në përmbushjen e kapaciteteve. Falë edhe kësaj përkrahjeje, FSK-ja ka arritur standardet më të larta profesionale dhe natyrshëm edhe pak ditë do ta bëjmë Ushtri të Kosovës. Me drejtuesit e Gardës Kombëtare të Iowa-s diskutuam për mbështetjen e mëtutjeshme që mund t’i jepet Ushtrisë sonë, qoftë në trajnime e edukim, por edhe në çështje të tjera që ndërlidhen direkt me mandatin e saj. Kosova është krenare për miqësinë e shenjtë që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Veseli.
/Epoka e re/