Veseli: Epopeja e Melenicës është dëshmi e sakrificave të Shalës për liri
Duke përkujtuar sakrificën e të rënëve për liri, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë 20 vjet më parë në betejën e Melenicës, në Mitrovicë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve në teatrin kombëtar në Prishtinë, kryeparlamentari Veseli ka thënë se rajoni i Shalës, Mitrovicës ka dhënë shumë që nga fillim vitet e shekullit 20 për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve.
Ai ka thënë se ishte pikërisht heroi i kombit Isa Boletini i cili më 1912 shkoi nga Mitrovica në Vlorë për formimin e shtetit shqiptar, ndërsa theksoi se u deshën edhe 86 vjet tjera sakrifica e dëshmorë deri në shpalljen edhe të pavarësisë së Kosovës.
Kreu i Kuvendit tha se Epopeja e Melenicës është dëshmi e sakrificave të Shalës për liri.
“Gjatë gjithë historisë Shala e Bajgorës ka rrezatuar atdhedashuri. Burrat e saj gjithmonë kanë qenë aty ku është dhënë kushtrimi për liri e për komb. E tillë ishte kjo zonë edhe në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishin djemtë e vajzat më të mirë të Kosovës që ju përgjigjen thirrjes për çlirimin e atdheut”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se për një muaj rresht djemtë e saj u qëndruan heroikisht sulmeve të makinerisë ushtarake serbe, në të cilat beteja ranë heroikisht Shemsi Ahmeti, Rrustem Hyseni, Ahmet e Xhemail Haxha, Asllan Cimili, Enver Musa, Shemsi Isrefi, Faruk Beqiri, Sokol Preteni, Esat Meholli, Qazim Cimili.
“Ata ranë, por ëndrra e tyre për liri u bë realitet. Liria e Kosovës është pavdekësia e tyre, sepse sa të jetë i lirë kjo tokë, do të jetojë edhe emri i tyre. Dhe kjo tokë përgjithmonë ka me qenë e lirë. Ka me qenë shtet i pavarur e sovran, përderisa t’ nxej dielli e t’ rrezon hana, siç do të thoshte Fishta. Nuk do të mund të na ndalë askush. Nuk ka sfidë që mund të na gjunjëzojë”, tha kryeparlamentari Veseli.