Veseli: ‘Epopeja e UÇK-së’ ndryshoi historinë e kombit tonë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se sakrifica e familjes Jashari ndryshoi historinë e kombit tonë.
Në fjalën e tij në seancën solemne me rastin e shënimit të 21-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, Veseli ka thënë se nga Prekazi i 1998-të, Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë.
“Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave. Ato shënojnë ndarjen e së tashmes prej të së shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet. Një peshë të tillë e ka 5 marsi i vitit 1998. Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe pa dyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire”, ka thënë ai, duke shtuar se lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri.
“Adem Jashari dhe familja e tij ranë që kombi ynë të ngrihej në këmbë. Dhe ne u ngritëm! I madh e i vogël, burra e gra, nga i gjithë kombi. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë. Në fundin e Shekullit 20, Kosova hyri në hartën e vendeve të lira dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë”, ka thënë Veseli.
/Epoka e re/