Veseli është lider i pakontestueshëm i PDK-së
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, e ka vlerësuar shumë të suksesshëm procesin e brendshëm zgjedhor të kësaj partie.
Ai ka bërë me dije se ky proces ka bërë që të shtohet mbështetja dhe besimi i elektoratit për të parin e kësaj partie.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Stavileci ka thënë se Kadri Veseli është lider i pakontestueshëm i PDK-së. “Kryetari, z. Kadri Veseli, është lider i pakontestueshëm i PDK-së. Edhe para procesit zgjedhor edhe gjatë procesit zgjedhor të gjitha degët dhe strukturat e reja drejtuese i kanë dhënë një mbështetje të fuqishme kryetarit të tashëm dhe të ardhshëm të PDK-së. Platforma politike që ai ka dizajnuar, fryma dhe energjia që ai ka sjellë, ruajtja e harmonisë dhe krijimi i sinergjisë mes kuadrove partiake, kanë ngjallur një besim edhe më të madh të njerëzve për vizionin dhe misionin e tij”, ka thënë Stavileci.
Ai ka deklaruar se sondazhet profesionale e nxjerrin PDK-në si subjekti i parë politik në vend. “Sondazhet e fundit, profesionale dhe objektive, kanë dëshmuar se PDK-ja është partia e parë. Ndërkaq, është e mundshme që diçka e tillë nuk vlen për ata që fabrikojnë lajme të rreme. Aspak nuk e kanë vështirë të prodhojnë edhe sondazhe të kësaj marke, apo t’i interpretojnë sipas qejfit të tyre dhe inateve akute ose kronike. Ne mirëpresim të gjitha hulumtimet e opinionit publik që kanë kriter profesionalizmin dhe paanshmërinë”, është shprehur ai.
Duke folur për Konventën e Nëntë Zgjedhore të PDK-së, e cila do të mbahet të dielën, ai ka thënë se do të këtë edhe risi. “Momenti më i rëndësishëm do të jetë zgjedhja e kryetarit me mandat të plotë, si dhe e Këshillit Drejtues. Po kaq të rëndësishme do të jenë edhe miratimi i Statutit të Ri, i Programit Politik dhe i Deklaratës Politike, dokumente strategjike këto që reflektojnë vlerat dhe orientimet tona në Dekadën e Re, të tretën të lirisë dhe të dytën të pavarësisë. Edhe kësaj radhe do të ketë risi me të cilat PDK-ja përsëri do të shquhet si partia me peshën më të madhe vendimmarrëse dhe shtetzhvilluese në vend”, ka thënë Stavileci.
“Epoka e re”: Z. Stavileci, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të dielën do ta mbajë Konventën e Nëntë Zgjedhore. Cilat organe do të zgjedhen në këtë konventë?
Stavileci: Partia Demokratike e Kosovës pas një procesi shembullor dhe masiv zgjedhor të dielën e mban konventën dyditore, me ç’rast kurorëzohet ky proces shumëmuajsh zgjedhor, nga i cili do të dalin organet e reja drejtuese të partisë. Ditën e parë do ta kemi pjesën e punës, ndërsa ditën e dytë pjesën solemne. Momenti më i rëndësishëm do të jetë zgjedhja e kryetarit me mandat të plotë, si dhe e Këshillit Drejtues. Po kaq të rëndësishme do të jenë edhe miratimi i statutit të ri, i programit politik dhe ai i deklaratës politike, dokumente strategjike këto që reflektojnë vlerat dhe orientimet tona në Dekadën e Re, të tretën të lirisë dhe të dytën të pavarësisë. Edhe kësaj radhe do të ketë risi me të cilat PDK-ja përsëri do të shquhet si partia me peshën më të madhe vendimmarrëse dhe shtetzhvilluese në vend.
“Epoka e re”: Deri më tash kandidaturën për kryetar të PDK-së e ka shpallur vetëm kryetari aktual, Kadri Veseli. A prisni që Veseli të ketë kundërkandidat?
Stavileci: Kryetari, z. Kadri Veseli, është lider i pakontestueshëm i PDK-së. Edhe para procesit zgjedhor edhe gjatë procesit zgjedhor të gjitha degët dhe strukturat e reja drejtuese i kanë dhënë një mbështetje të fuqishme kryetarit të tashëm dhe të ardhshëm të PDK-së. Platforma politike që ai ka dizajnuar, fryma dhe energjia që ai ka sjellë, ruajtja e harmonisë dhe krijimi i sinergjisë mes kuadrove partiake, kanë ngjallur një besim edhe më të madh të njerëzve për vizionin dhe misionin e tij të qartë dhe të palëkundur për një shtet zhvillimor, për një shtet ligjor, për një shtet të integruar në familjen e madhe perëndimore.
“Epoka e re”: Cili ka qenë qëllimi i zgjedhjeve të brendshme të PDK-së dhe sa është arritur ky qëllim me përfundimin e këtij procesi?
Stavileci: Procesi i sapopërfunduar në të gjitha degët me një sukses maksimal ka pasur për qëllim krijimin dhe legjitimimin e strukturave të reja drejtuese, të cilat do ta udhëheqin partinë dhe vendin në proceset e ardhshme politike, ku përsëri PDK-ja do ta ketë rolin prijës me politika konkrete për zhvillimin e shtetit tonë të ri, me rivizionimin për ekonominë, edukimin e shëndetësinë, si dhe luftën kundër korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative deri në çrrënjosjen e tyre totale. Shembullin që kemi dhënë në këtë proces me 50 mijë njerëz që gravituan rreth Dekadës së Re, i paraprirë nga procesi zgjedhor në kuadër të Rinisë Demokratike me 20 mijë të rinj, me mbajtjen e mbi 3 000 takimeve anekëndKosovës, është dëshmia kryesore e PDK-së, si partia numër një në vend.
“Epoka e re”: Sondazhet e fundit PDK-në nuk e kanënxjerrë parti të parë. Sa do të ndikojë ky proces i brendshëm zgjedhor në perceptimin e qytetarëve për këtë parti?
Stavileci: Përkundrazi, sondazhet e fundit, profesionale dhe objektive, kanë dëshmuar se PDK-ja është partia e parë. Ndërkaq, është e mundshme që diçka e tillë nuk vlen për ata që fabrikojnë lajme të rreme. Aspak nuk e kanë vështirë të prodhojnë edhe sondazhe të kësaj marke, apo t’i interpretojnë sipas qejfit të tyre dhe inateve akute ose kronike. Ne mirëpresim të gjitha hulumtimet e opinionit publik që kanë kriter profesionalizmin dhe paanshmërinë.Njerëzit i besojnë PDK-së shumë. Të vetëdijshëm për këtë ne kemi forcën për ta zhvilluar e integruar atdheun tonë, por edhe për ta përmirësuar veten. Imagjinoni, ka pasur kuvende me nga 1 500 pjesëmarrës dhe kanë kaluar pa asnjë problem, ndërkaq po i shohim disa parti që s’mund t`i menaxhojnë as 30 njerëz brenda një procesi e, për më keq, as t’i evitojnë përleshjet fizike. Edhe ky është një tregues se si funksionon organizata jonë dhe se sa shumë dallojmë nga partitë e tjera. Prandaj, njerëzit na besojnë.
“Epoka e re”: Ka pasur vlerësime të ndryshme që pas zgjedhjeve të brendshme PDK-ja mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Cilat janë gjasat që vendi të shkojënë zgjedhje të parakohshme?
Stavileci: PDK-ja do të vazhdojë të luajë një rol esencial në të gjitha zhvillimet. Rol produktiv dhe konstruktiv që e ka veçuar, po e veçon dhe do ta veçojë gjithmonë. Në kohën kur vendi ka nevojë më shumë se kurrë për unitet dhe konsensus rreth temave të vështira, problemeve të pazgjidhura dhe sfidave delikate, PDK-ja do ta ketë fjalën kryesore, do t’i marrë veprimet e duhura dhe do të jetë në nivelin më të lartë të detyrës. Vendi ka nevojë për unitet dhe konsensus. Për programe të reja. Për ide të reja. Për energji të reja. E PDK-ja do të jetë përsëri lokomotiva e tyre në dekadën e ardhshme të shtetit tonë.
(Muhamet Koci)