Veseli: Fitorja e PDK-së nis në Drenicë dhe vuloset në Prishtinë
Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur të hënën një tubim elektoral në Drenas.
Para të pranishmëve Veseli, ka thënë se fitoret për Kosovën nisin çdo herë nga Drenica, ndërsa fitorja e PDK-së kësaj radhe do të vuloset në Prishtinë, më 6 tetor.
Veseli në fjalën e tij shpalosi për drenicasit projektin e subjektit që ai drejton ndërsa theksoi që do t’i përkrah të gjitha kategoritë e shoqërisë.
”Projekti i PDK-së është që ta mbajë popullin e bashkuar, të mos i ndajë, të mos i përçajë për të ndihmuar rininë në mënyrë të veçantë. Për t’i përkrahur të gjitha kategoritë e shoqërisë tonë , do të përkrahi të gjithë ata që mendojnë të zhvillojnë vendin”.
“Do t’i përkrahin pensionistët, do të legalizojnë të gjitha pronat që për dy vite të gjitha këto prona do të legalizohen. Të gjithë do fuqizohen edhe më shumë bashkë me Kosovën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet të kemi stabilitet politik”, ka thënë Veseli.
Ai ka ftuar qytetarët që të më 6 tetor të dalin masivisht në zgjedhje. “Ditëve të fundit po shoh një vetëkënaqësi. Ne nuk duhet të vetëkënaqemi, duhet ta sigurojmë të ardhmen e Kosovës me ShBA-të. Më 6 tetor kisha lutur përkrahësit tanë të dalin në zgjedhje e të votojnë përkrahësi te së ardhmes”, është shprehur Veseli
Lideri i PDK-së, ka pohuar se qytetarët e Kosovës më 6 tetor do gjenden para dy zgjedhjeve, atij të koalicionit të shpresës me ShBA-të apo koalicionit të izolimit.
“Më 6 tetor zgjedhja është mes koalicionit të shpresës me ShBA-të, apo koalicionit të izolimit dhe të thellimit të korrupsionit”.
“Më 6 tetor PDK kandidon me 110 kandidatë. Ju thërras masivisht, Drenicë, Drenas t’i përkrahni të gjithë kandidatë tuaj sepse Drenasi duhet t’i ketë ata në Kuvendin e Kosovës”.
“Bëhuni bashkë për fitoren e Kosovës tonë. Kur fiton PDK fiton Kosova, e kur është e fortë Kosova është e dobët vetëm Serbia”, ka deklaruar Veseli.