Veseli flet për dialogun me Serbinë: Nuk do të lejojmë asnjë rezultat që dobëson integritetin e shtetit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka mirëpritur takimin e delegacionit shtetëror të Kosovës me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Ai ka thënë se ky delegacion i cili sot përfaqëson Kosovën në takimin e Brukselit, ka mandat të plotë legal dhe legjitim nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas Veselit, vendimet që do të merren do të jenë në respekt të plotë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në koordinim më partnerët perëndimorë.
“Të dashur qytetarë, delegacioni shtetëror i Kosovës, i cili sot përfaqëson Kosovën në takimin e Brukselit, ka mandat të plotë legal dhe legjitim nga Kuvendi i Kosovës. Ky mandat është në përputhje të plotë me parimet e funksionimit demokratik të institucioneve. Kosova është e gatshme dhe e vendosur për dialog me Serbinë. Vendimet që do të merren do të jenë në respekt të plotë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në koordinim më partnerët tanë perëndimorë, si dhe të gjithë mbështetësit e shtetit tonë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se refuzimi i dialogut nuk është alternativë e as zgjidhje.
“Për më tepër do të ishte një favorizim i Serbisë në arenën ndërkombëtare. E dimë nga e kaluara se sa herë që Serbia ka refuzuar dialogun, po aq herë ka dalë e humbur nga proceset. Ne nuk guxojmë ta përsërisim këtë leksion të gabuar të Serbisë”, është shprehur ai, duke shtuar se Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohje e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimi ynë në OKB.
“Ne nuk do të lejojmë asnjë rezultat që dobëson integritetin e shtetit të Kosovës. Ne hyjmë në dialog për ta fuqizuar edhe më shumë shtetin e Kosovës dhe do t’ia arrijmë kësaj pa asnjë mëdyshje. Si në kohën e çlirimit, pastaj atë të pavarësisë, edhe sot, përkrah nesh janë vendet perëndimore, demokracitë më të fuqishme të botës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është garanci e fuqishme për ecjen tonë përpara si shtet. Por është e qartë se vetëm kjo nuk mjafton. Na duhet të jemi më të bashkuar brenda si Kosovë. Ashtu siç kemi qenë në të kaluarën e afërt. Nuk kemi kohë për të humbur, bashkimi për interes të shtetit duhet të ndodhë menjëherë. Është koha për të menduar për vendin, jo për interesat tjera apo për kalkulime përfitimesh nga gabimet e pritura të të tjerëve”, ka deklaruar më tutje Veseli.
Sipas Veselit, Kosova në dialog është duke hyrë për të fituar dhe do të fitojë.
“Ne nuk hyjmë në dialog për të gabuar. As për të humbur. Hyjmë vetëm për të fituar dhe do të fitojmë. Kush mendon ndryshe është duke gabuar shumë. Ky është qëndrimi dhe përkushtimi i Partisë Demokratike të Kosovës. PDK nuk gabon asnjëherë kur është në pyetje kombi, shtetit dhe partneriteti me ShBA-të dhe vendet perëndimore. Kjo është arsyeja pse PDK gjithmonë ka qenë në krye të proceseve historike të cilat e kanë avancuar Kosovën”, ka theksuar ai.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se puna të cilën e ka nisur sot delegacioni shtetëror i Kosovës do të jetë transparente në të gjitha fazat e saj, ndërkaq vendimi final do të legjitimohet me vullnetin e lirë të sovranit.
“Për këtë ne do të kalojmë shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës ligjin për referendumin. Do të jenë vetë qytetarët e Kosovës që do ta thonë fjalën e fundit për rezultatet e procesit. Zëri i popullit është zëri i Zotit. Së pari Kosova!”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/