Veseli flet për vizat dhe veteranët, hesht për koalicionin qeverisës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes se Kryesisë ka bërë me dije se në këtë mbledhje janë trajtuar një sërë çështjesh të cilat kanë të bëjnë me zhvillimet në Kuvendit.
Veseli në një konferencë për medie komentuar edhe çështjen e listave të manipuluara të veteranëve të UÇK-së, për çka është zotuar se nuk do të lejojë të keqpërdoret statusi luftëtarit të vërtet.
“Kemi trajtuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me punën e Kuvendin. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e kombit tonë. Statusi i luftëtarit është i shenjtë. Askush s’ka të drejtë të manipulojë me statutin e luftëtarit të UÇK-së. Ndihuni krenarë më luftën tuaj që keni bërë për vendin tuaj. Askush s’do ta mohojë të drejtën tuaj. UÇK-ja është e shenjtë, statusi i luftëtarit po ashtu dhe shteti i Kosovës dhe unë në cilën do pozitë të jem nuk do të lejojë që luftëtari të jetë lëmoshë apo të keqpërdoret emri i dikujt apo i imi”, ka thënë Veseli.
Më tutje, Veseli ka folur për çështjen e dialogut me Serbinë si çështjen e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se miqtë evropianë duhet të tregohen më korrekt ndaj shtetit të Kosovë dhe qytetarëve të saj.
“Ne duhet të bëjmë më tepër në luftën kundër korrupsionit. Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave nuk është çështje e Kosovës. Është problem që ka të bëjë me Bashkimin Evropian (BE). Nuk dua ta ekzagjerojë këtë çështje sesa kam folur deri më tani, por miqtë tanë evropianë duhet të jenë më korrekt me vetveten e tyre sepse nuk mund të jenë ata më të privilegjuar më shumë se sa ne”, ka thënë Veseli.
Kryetari i Kuvendit dhe lideri i koalicionit PAN ka refuzuar të flas për zhvillimet apo raportet brenda koalicionit qeverisës, pasi është larguar në heshtje.