Veseli fton investitorët nga Japonia të investojnë në Kosovë
Në vazhdim të vizitës së zyrtare në Tokio, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur në takim nga Hiroshigo Seko, ministër për Ekonomi, Tregti dhe Industri në Qeverinë japoneze.
Në fjalën e tij, Veseli ka bërë një ekspoze të mundësive që ofron Kosova në fushën e investimeve të jashtme, duke potencuar faktin e lehtësirave fiskale për bizneset e reja si dhe fuqinë e re punëtore.
Ai ka kërkuar nga ministri Seko që bizneset japoneze të vijnë në Kosovë për të hulumtuar mundësitë investive.
Nga ana e tij, ministri japonez i Ekonomisë, tha se Japonia është e interesuar që bizneset e saj, sidomos markat e njohura të industrisë japoneze, të jenë sa më shumë prezente në Evropë dhe Kosova përbën një fushë të interesimit.
Ai ka thënë se tash që do të fillojë punën ambasada japoneze në Prishtinë, mundësitë e komunikimit dhe bashkëpunimit do të jenë shumë herë më të mëdha.
Kryetari Veseli ka përmendur sektorin e teknologjisë së informacionit, si një sektor në të cilin ekziston një potencial i madh bashkëpunimi midis dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit kanë rënë darkord që në të ardhmen e afërt të ndodhin vizita reciproke të delegacioneve nga fusha e bizneseve, në mënyrë që bashkëpunimi të fillojë me hapa konkretë.
/Epoka e re/