Veseli fton LDK-në dhe LV-në që ta mbështesin platformën për bisedime me Serbinë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë me dije se sot ka pranuar nga delegacioni shtetëror platformën shtetërore për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se së shpejti kjo platformë do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
“Ky është një dokument gjithëpërfshirës, që adreson qëndrimet unike të Kosovës për këtë proces. Ne shkojmë në dialog për njohje reciproke dhe përshpejtim të anëtarësimit në OKB, NATO dhe BE. Platforma garanton transparencë të plotë. Për marrëveshjen finale, përveç Kuvendit të Kosovës, fjalën e vet do ta thotë edhe populli me referendum”, ka deklaruar Veseli.
Kryeparlamentari Veseli ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që ta mbështesin këtë platformë dhe t’i bashkohen ekipit shtetëror, në mënyrë që bashkë ta mbyllin edhe këtë fazë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
/Epoka e re/