Veseli fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe që ta votojnë Demarkacionin
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka dhënë sqarim për konsensusin e arritur sot në mes të partive sa i përket ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Ai në një postim në profilin e vet në “Facebook” ka falënderuar Haradinajn dhe LDK-në që kontribuuan në zgjidhjen e kësaj çështje.
“Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit”, ka thënë Veseli.
Veseli ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që ta votojnë marrëveshjen.
“Falënderoj Kryeministrin Haradinaj dhe LDK-në për vullnetin e mirë që t’i kontribuojnë arritjes së konsensusit nacional. Ftoj edhe subjektet tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që të reflektojnë dhe të votojnë “pro” Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi”, ka shkruar Veseli.