Veseli fton në takim presidentin, kryeministrin, ekipin negociator dhe opozitën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka bërë me dije se të mërkurën e ardhshme do t’i ftojë në takim liderët kryesor të institucioneve shtetërore, ekipin negociator dhe liderët e partive politike për t’i trajtuar temat e dialogut me Serbinë.
“Në këto momente të rëndësishme, kur Kosova përgatitet për fazën finale të Dialogut me Serbinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë vendi i unitetit. Si Kryetar i Kuvendit, do t’i ftoj për të mërkurën, në orën 10:00, presidentin, kryeministrin, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në ekipin negociator, LDK-në dhe VV-në. Do të mblidhemi për të trajtuar temat e dialogut, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes finale, që Kosovës ia siguron njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe anëtarësimin në NATO e BE”, është thënë në deklaratën e Veselit.
/Epoka e re/