Veseli fton të rinjtë e Llapit të bashkohen për ndryshime dhe ta votojnë Naim Fetahun

07 mars 2020 | 19:44

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot qindra të rinj të Komunës së Podujevës, të cilët i ftoi të votojnë Naim Fetahun për të nisur ndryshimet e duhura dhe për t’i hapur perspektivë të rinjve llapjanë.

Veseli tha se me 15 mars rinia e Podujevës do ta bëjë ndryshimin e nevojshëm dhe do ta vulosë fitoren e Naim Fetahut për kryetar të ardhshëm të Komunës së Podujevës.

“Jam i sigurt se me 15 mars me aktivitetin e juaj, me përkushtimin e juaj, me fjalët e juaja duke shkuar shtëpi për shtëpi, do t’i vie e mira Llapit, do t’i vie e mira Podujevës me Naim Fetahun kryetar të komunës së Podujevës. Kështu që, bëhuni bashkë të gjithë me vetbesim shumë të madh. Ka nevojë Podujeva për ndryshim”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së tha se ka largim të njerëzve, të rinjve, ndërmarrësve nga Podujeva, për shkak të mungesës së perspektivës.

“20 vite këta dy kundërkandidatët e Naimit kanë pasur të bëjnë me rininë. Të dy kanë qenë drejtorë të arsimit, çka kanë me i sjell Podujevës pas 15 marsit? Cila është perspektiva të cilën ata mendojnë t’ia sjellin të rinjve të Llapit”, tha ai.

Veseli tha se të dy kandidatët e tjerë mendojnë se do të fitojnë sepse thonë se llapjanët i kanë në dorë.

Nga ana e tij, kandidati për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu tha se programi i tij është i fokusuar në fuqizim të të rinjve të komunës së Podujevës.

Ai tha se rinia është promotor i zhvillimit të shoqërisë dhe se të rinjtë e Podujevës meritojnë më mirë.

“Podujeva është lodhur shumë me një qeverisje të keqe. Kemi pasur shumë keqmenaxhim në komunën tonë, qytetarët tanë kanë mbetur mbrapa me zhvillim ekonomik. Nuk kemi pasur vende të reja të punës, studentët tanë nuk janë përkrahur nga komuna, kanë qenë të diskriminuar në punësim, nuk kanë pasur mbështetjen as në sport, as në kulturë. Andaj këtu ka lindur nevoja për ndryshim dhe sa më shpejt që ndodh kjo është më mirë për të rinjtë e Llapit”, tha ai.

Fetahu po ashtu ka premtuar se do të mbështesë të rinjtë e komunës, do të dyfishojë numrin e bursave dhe se do të hapin çerdhe të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur manifestimi tradicional në kuadër të Epopesë së UÇK-së…