Veseli: Fundviti do t’i gjejë qytetarët e Kosovës me liberalizim të vizave (Video)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se fundviti do t’i gjejë qytetarët e Kosovës me liberalizim të vizave.
Ai në pjesën e dytë të intervistës për “Kosovapress”, Veseli ka folur edhe për punën e Kuvendit dhe zgjedhjet e brendshme të partisë që ai drejton, PDK-së.
Veseli ka thënë se legjislativi ka arritur të marrë vetën pas nisjes jo të mirë të legjislaturës së gjashtë.
Më tutje, lideri i PDK-së është shprehur optimist se deri në fund të vitit do të kenë edhe vendimmarrje të përfunduar për krijimin e ushtrisë së Kosovës.
“Unë besoj se fundi i këtij viti do të na gjejë me liberalizim të vizave për qytetarët tanë. Fundi i këtij viti do të na gjejë në një proces shumë më përpara drejt vendit kandidat në BE. Fundi i këtij viti do të na gjejë me një vendimmarrje ndoshta edhe të përfunduar për ushtrinë e Kosovës, fundi i këtij viti do të na gjejë me hapat që janë marrë në reformat ekonomike dhe juridike që vendi jonë, qytetarët tanë të gjejnë perspektiva për të jetuar e jo të gjejnë alternativa në vendet e huaja”, ka thënë Veseli.
Veseli ka folur edhe për zgjedhjen e brendshme në PDK-në, të cilat tashmë kanë nisur me kampanjën “Dekada e Re”.