Veseli: Guximi i Demaçit ishte inspirim për rrugën e lirisë
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka përkujtuar veprimtarin Adem Demaçi në dyvjetorin e ndarjes nga jeta.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është krenar që e kishte gjithmonë shembull Bacën Adem.
Ai ka shkruar se guximi i tij që kurrë të mos ndalet, ishte inspirim që të tjerët të vazhdojnë gjithmonë.
Postimi i plotë i Veselit:
Baca Adem, me sakrificat e pandalshme për liri dhe me gatishmërinë e vazhdueshme për ta kundërshtuar robërinë, e ka shquar qysh moti Kosovën në hartën e Evropës si vend i veçantë që nuk e duron robërinë, por e aspiron lirinë dhe pavarësinë.
Tek përkushtimi i Bacës Adem se kurrë nuk duhet të heqim dorë nga liria, gjeneratat e reja gjenin shembullin më sublim. Tek bindja e tij se nuk ka liri pa flijim, gjenerata të shumta nxorën mësimin më kuptimplotë.
Guximi i tij që kurrë të mos ndalet, ishte inspirim që të tjerët të vazhdojnë gjithmonë. Krenar që e kishim gjithmonë shembull Bacën Adem. Me fat e të lumtur që do të kemi prore frymëzimin nga ai. Lavdi!
(M.K / Epoka e re)