Veseli hapi Forumin Ekonomik Austri-Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka hapur Forumin Ekonomik Austri-Kosovë, i cili filloi punimet sot në Vjenë, organizuar nga Oda Ekonomike Austriake në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë. Në këtë forum morën pjesë mbi 100 përfaqësues të bizneseve austriake.
Në fjalën e tij para biznesmenëve austriakë, ai ka thënë se Austria tradicionalisht ka qëndruar gjithmonë përkrah aspiratave të popullit të Kosovës për paqe, liri e progres.
Ai ka shprehur kënaqësinë që Kosova ka arritur të tërheq investime serioze austriake.
Veseli ka thënë se prezenca e këtyre kompanive në Kosovë ka sjellë përvoja të reja në tregun vendor dhe ka krijuar një infrastrukturë të përshtatshme për afarizmin vendor dhe për investitorët e huaj.
“Kam bindjen se ky Forum Biznesi do të shërbejë si katalizator dhe urë lidhëse solide, për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe për të nxitur investimet e ndërsjella mes Kosovës dhe Austrisë”, ka theksuar Veseli.
Duke folur për reformat financiare e ekonomike, si dhe për klimën afariste në Kosovë, Veseli ka deklaruar se Kosova prej vitesh ka ruajtur stabilitetin politik, atë makroekonomik dhe ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit, duke reduktuar drastikisht procedurat burokratike për të hapur dhe operuar një biznes.
Veseli ka shtuar se Kosova është shpallur zyrtarisht si top reformatori në botë nga 185 shtete që janë në konkurrencë, duke lënë prapa shumicën e shteteve të rajonit për numrin e reformave që janë realizuar këto dy vitet e fundit.
Në hapje të Forumit Ekonomik Austri-Kosovën morën pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë pjesë e delegacionit gjatë vizitës zyrtare në Austri.
/Epoka e re/