Veseli: I kemi mundësitë për ta mposhtur Turqinë
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë kundër Turqisë dhe Moldavisë. Këto përballje janë shumë vendimtare për vazhdimësinë në Evropianin e 2020.
Pas dëmtimit të Mërgim Mavrajt, Frederik Veseli ka shumë shanse për një vend titullari. Veseli është shprehur se kuqezinjtë e kanë potencialin për të mundur Turqinë, nisur edhe nga ajo përballje e fituar në miqësore në kohën e Panuccit.
“I kemi lojtarët që përshtaten me 3 mbrojtës. Mund të luajmë edhe me 4 gjithashtu, varet edhe kundërshtari. Nuk është skemë fikse. Nëse fitojmë kemi mundësi të madhe për të vazhduar përpara. Pse jo, për të bërë një gjë të bukur. I kemi mundësitë për ta mposhtur Turqinë, siç e kemi bërë edhe në miqësore. Nuk duhet të kemi shumë presion”, ka thënë Veseli. “Për të ardhmen kemi lojtarë me shumë perspektivë. Konkurrenca është pozitive te Kombëtarja. Atmosfera këtu është shumë pozitive brenda ekipit. Unë si fans dhe koleg i Lorik Canës, padyshim që na mungon. Por kjo ndodh tek të gjitha skuadrat, për një lojtar të rëndësishëm. Një tjetër Lorik do të vijë në të ardhmen. Kumbulla është shumë lojtar i mirë, megjithëse i ri dhe po bën mirë në Seria A”, ka shtuar Veseli.