Veseli i kthen përgjigje presidentit: PAN-i nuk ka mandatar tjetër për kryeministër
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh udhëheqës i koalicionit PAN, Kadri Veseli, i ka kthyer përgjigje presidentit Hashim Thaçi se koalicioni PAN nuk ka mandatar tjetër për formimin e qeverisë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.
“Si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër. Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Shkrimi i plotë i Veselit:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam vendosur që të hënën, më 5 gusht 2019, të thërras një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bashkë me Kryetarët e Grupeve Parlamentare, në funksion të veprimeve të cilat duhet t’i ndërmarrim në ditët në vazhdim, konkretisht për të diskutuar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës.
Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër.
Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash, e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar.
Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim të hovshëm ekonomik, që e lufton korrupsionin pa kompromis, që u ofron perspektivë të rinjve tanë këtu, në Kosovë, që garanton mundësi të barabarta për të gjithë dhe që sjell më shumë të reja e të rinj, ndërmarrës e intelektualë, në lidershipin institucional, për ndryshimet e mëdha që janë të domosdoshme.
Të dashur qytetarë,
Kuvendi i Kosovës është i obliguar edhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për tejkalimin legal dhe institucional të situatës aktuale.
Shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime. Është në interesin e qytetarëve dhe të shtetit që të lëvizim shpejt në drejtim të legjitimimit të ri të institucioneve. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve demokratike.
Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejtë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike.
Republika e Kosovës ndodhet para sfidave të mëdha, përballja me të cilat del e suksesshme vetëm duke pasur institucione legjitime dhe Qeveri të zgjedhur nga vota e lirë qytetare.
Andaj, nuk duhet të humbim kohë!
Ju siguroj se vendi ynë ka të gjitha kapacitetet e nevojshme institucionale dhe përvojën e dëshmuar për të organizuar një proces zgjedhor në përputhje të plotë me standardet më të larta demokratike.
Është koha për të dëgjuar vullnetin e sovranit.