Veseli, i shqetësuar për bujqit e Suharekës e të Mamushës
Një ditë para kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Mamushë dhe Suharekë për vizitë ka shkuar edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili sot ka njoftuar për vizitën e djeshme, për të cilën thotë se është interesuar për dëmet e shkaktuara nga breshëri, por edhe për gjendjen e banorëve gjatë pandemisë.
Njoftimi i Veselit, pa ndërhyrje:
Dje vizitova komunën e Mamushës, ku u takova me kryetarin e kësaj komune Abdylhadi Krasniqi por edhe me kryetarin e komunës fqinje të Suharekës, Bali Muharremaj. U interesova për gjendjen e banorëve gjatë pandemisë por edhe për dëmet e shkaktuara prej breshërit. Administratat e komunave kanë mbajtur një barrë të madhe të peshës në luftën kundër koronavirusit dhe kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm.
21 maji është Dita Botërore e Diversitetit Kulturore, që ka rëndësi të madhe për Kosovën e cila ka arsye të krenohet me harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-fetare e ndër-etnike. Me këtë rast shpreh respekt të veçantë për komunitetin turk i cili jep një kontribut të çmuar në konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit tonë dhe shërben si urë e fortë lidhëse me shtetin mik të Turqisë.
(B. D.: ‘Epoka e re’)