Veseli inauguron Qendrën e inovacionit dhe ndërmarrësisë në UP
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka inauguruar Qendrën e Inovacionit dhe Nërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Me këtë rast, ai ka thënë se do të vazhdojë ta mbështesë çdo ide të rinisë kosovare që lidhet me inovacionin dhe ndërmarrësinë, duke dhënë mesazhin e qartë se Kosova është e vendosur të ecë përpara në rrugën e saj të modernizimit dhe zhvillimit ekonomik.
Veseli ka thënë se Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm, i cili me vendime të duhura, me politika ekonomike adekuate, mund të kthehet në zhvillim dhe mirëqenie qytetare.
“Një nga prioritetet e mia kryesore ka qenë lidhja e botës akademike me pjesën e biznesit dhe ndërmarrësisë. Kjo është ajo që sot po ndodhë. Perspektiva ekonomike e vendit tonë mund të arrihet vetëm në momentin kur bota akademike lidhet me ndërmarrësinë. Kjo është ajo që i ka munguar deri tani Kosovës. Gjatë takimeve të shumta me bizneset, një ndër ankesat kryesore të tyre kanë qenë mungesa e njerëzve të përgatitur profesionalisht, të aktivizuar në botën e ndërmarrësish”, ka thënë Veseli.
Nga ana tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka përgëzuar kryeparlamentarin Kadri Veseli për idenë e themelimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Ndërsa ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se investimet në krijimin e kushteve për laboratore për inovacion dhe ndërmarrësi do të shtrihen në gjitha pjesët e vendit, për tu krijuar të rinjve mundësi praktike në realizimin e ideve të tyre.
Ai ka thënë se qendrat inovative duhet të shërbejnë për krijimin e kushteve që idetë e të rinjve inovatorë të përkthehen në bashkëpunim konkret me bizneset për t’i realizuar ato në ekonominë e re globale. Sipas tij, Kosova me rininë që ka do të jetë një vend konkurrues i denjshëm.
Kurse udhëheqësit e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prtishtinës e falënderuar kryeparlamentarin Kadri Veseli për mbështetjen në realizimin e këtij projekti i cili u ka krijuar kushte studentëve që të realizojnë idetë dhe njohuritë e tyre në praktikë.