Veseli: Iniciativa e opozitës për seancë të jashtëzakonshme, e panevojshme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ndaj iniciativës së partive opozitare për për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Veseli përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se partitë politike opozitare kanë marrë iniciativë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se ky veprim ndonëse proceduralisht është në rregull, politikisht përbën një veprim absurd dhe krejtësisht të panevojshëm për temën të cilën thuhet se do ta trajtojë.
Veseli ka theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, as dje, as sot, as kurrë, nuk mbrohet me deklarata elektorale dhe rezoluta eventuale.
“Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës mbrohet nga institucionet shtetërore dhe nga kushtetuta e saj. Paniku opozitar dhe gënjeshtrat me të cilat partitë opozitare dezinformojnë qytetarët e Kosovës janë të turpshme dhe njëkohësisht të rrezikshme për stabilitetin e vendit. Ato kanë një qëllim të vetëm: të nxisin tensione dhe më pas protesta të dhunshme antidemokratike, në kundërshtim me rendin kushtetues dhe ligjor në vend. Është për keqardhje që këto parti opozitare vazhdojnë të cenojnë parimin themelor të shtetit demokratik, që thotë se pushteti fitohet me zgjedhje të lira, e jo me demonstrime të dhunës politike”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se partitë opozitare duhet të flasin hapur nëse janë për apo kundër dialogut me Serbinë.
Veseli ka pohuar se ky dialog dihet mirëfilli se ka tri qëllime.
“Qëllimi i parë është arritja e marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht obligative për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Qëllimi i dytë, që varet prej të parit, është njohja reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Qëllimi i tretë është hapja e rrugës për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në OKB, NATO dhe BE. Këto janë qëllimet jashtë të cilave shteti i Kosovës nuk bën asnjë veprim tjetër”, është shprehur ai.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se partitë opozitare, nëse janë pro këtyre qëllimeve, atëherë janë të mirëseardhura në ndërtimin e platformës së përbashkët të zhvillimit dhe finalizimit të dialogut dhe për të qenë pjesë aktive e ekipit të përbashkët të unitetit.
“Në rast se janë kundër dialogut dhe me dezinformata qëllimkëqija duan t’i manipulojnë qytetarët, duke u thënë se gjoja shteti dhe territori i Kosovës është në rrezik, le të flenë rehat, sepse institucionet shtetërore janë në krye të detyrave kushtetuese. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe si e tillë merr pjesë në Dialogun Kosovë-Serbi. Kosova nuk negocion për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Institucionet shtetërore mbeten të përkushtuara për arritjen e qëllimeve tona për anëtarësim në OKB, NATO dhe BE. Dhe, në asnjë rrethanë, nuk bëhen pjesë e skenarëve të errët, kauzave të rrejshme dhe seancave që nxisin tensione dhe panik”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/