Veseli: Iniciativa ime për tribunalin le të jetë fitore e të gjitha partive, vetëm ta themelojmë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit pa dallime partiake që të bëhen bashkë për ta votuar sot iniciativën për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.
Ai tha se pavarësisht që është iniciator i formimit të Tribunalit, ka për qëllim vetëm formimin, duke theksuar se meritat për të do t’u takojnë të gjitha partive parlamentare.
“Unë edhe kur e kam iniciuar ju kam thënë se kjo iniciativë le të jetë e të gjithëve së bashku, vetëm ta formojmë pasi kanë kaluar dy dekada dhe askush nuk ka marrë asnjë iniciativë për të kërkuar drejtësi për mijëra viktima e qindra masakra që kanë kryer forcat serbe në Kosovë”, tha Veseli.
Ai tha se sot Kuvendi duhet t’i thotë ‘Po’ formimit të komisionit shtetëror për Tribunalin e gjenocidit serb.
Aktualisht Grupet Parlamentare po diskutojnë për gjetjen e formës për t’i unifikuar qëndrimet për ta votuar sot formimin e Komisionit Shtetëror për formimin e Tribunalit për gjenocidin serbë, një nismë kjo e Kryeparlamentarit Kadri Veseli para dy javësh.
Në rend dite në seancë janë edhe dy pika të ngjashme me rëndësi, njëra për Muzeun e Gjenocidit në qendër të Prishtinës dhe tjetra për Muzeun e të dëbuarve në Stacionin e trenave në Prishtinë.