Veseli: Integriteti territorial i Kosovës, i pacenushëm
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se integriteti territorial i Kosovës është i pa cenueshëm.
Në një intervistë për “RTK”-në, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se epilogu i bisedimeve do të jetë njohja nga Serbia dhe ulësja në OKB.
Gjithashtu, Veseli beson se Kosova do ta mbrojë integritetin territorial, pa ndarje e pa shkëmbim të territoreve.
“Qëndrimi i Kosovës është shumë i qartë, njohja e shtetit të Kosovës si shtet sovran nga Serbia, ulësja në organizatën e Kombeve të bashkuara (OKB) dhe për këtë as nuk ka dilema. Ne jemi të vendosur të ecim në procesin e paqes, procesin e komunikimit dhe të integrimit euroatlantik si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Veseli.
Dialogu Kosovë-Serbi, i cili po shoqërohet me debat me terme ndarjeje, shkëmbim të territoreve si dhe korrigjim kufijsh, është komentuar edhe nga këshilltarit i presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se nëse të dyja palët punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, nuk përjashtojnë korrigjimet territoriale. Por, Veseli ka thënë se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm.
“ShBA janë aleati ynë i përjetshëm dhe aleati i ynë më i fuqishëm në botën demokratike. Qëndrimi i ShBA-së, është shumë i qartë për shtetin tonë të pavarur dhe sovran, për integritetin tonë, për sovranitetin tonë. Ne do të lëvizim në këtë pozicion me parterët tanë dhe ShBA-në. Kosova ka perspektivë të qartë integruese euroatlantike. Kosova ka qëllim të qartë, njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka ftuar të gjithë akterët në Kosovës që të jenë unik për platformën e Kosovës për dialog.
I pyetur se a pritet të zbardhet e vërteta për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së, kryeparlamentari Veseli ka thënë se kësaj çështjeje duhet t`i shkohet deri në fund, dhe të dalin para drejtësisë ata individë që kanë abuzuar e keqpërdorur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Debati është legjitim, por nuk duhet të devalvojë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e popullit të Kosovës në luftën për liri dhe për pavarësi dhe as sesi nuk guxon të cenohet nga askush. Abuzuesit dhe keqpërdoruesit do të marrin përgjigje e merituar dhe jo të dëmtohet buxheti i Kosovës”, ka thënë ai.
Ndryshe më 7 shtator, në Bruksel do të takohen presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, me ftesë të ndërmjetësueses Federica Mogherini.