Veseli: Isha kundër vizitës së Vuçiqit në Ujman, por insistuan miqtë ndërkombëtarë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur rreth vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në veri të vendit.
Veseli ka thënë se ka qenë kundër vizitës së Vuçiqit në Ujman, por me insistimin e partnerëve ndërkombëtarë e kanë lejuar këtë vizitë.
“Konsideroj se demonstrimi mbi pendën e Ujmanit ka qenë demonstrim i pastër i logjikës së hegjemonisë politike, por po ashtu edhe kundër çdo rregulli të sigurisë, pasi nuk ka asnjë lloj praktike demokratike që garanton masa të sigurisë për të mbajtur konferencë shtypi mbi pendë. Gjithsesi, vizita e tij konsideroj se u bë mirë që ndodhi, sepse edhe një herë u dëshmua se liderët e Serbisë po e vazhdojnë traditën e Sllobodan Millosheviqit”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Veselit:
Paqja dhe fqinjësia e mirë kanë qenë dhe mbesin qëllime themelore të shtetit të Kosovës. Kosova beson se rruga e dialogut dhe bashkëpunimit është alternativa e vetme e mundshme për të tejkaluar mospajtimet nga e kaluara dhe për të ecur përpara në rrugën euro-atlantike. Në frymën e këtyre parimeve, ne kemi marrë vendim që të lejojmë vizitën e Presidentit të Serbisë.
Në bazë edhe të traditës shtetërore, nuk kam dashur të deklarohem para përfundimit të vizitës së tij në Kosovë.
Dua të theksoj se kam qenë kundër vizitës së tij në Ujman, pasi kam konsideruar se një veprim i tillë nuk i kontribuon paqes dhe dialogut në këtë kohë. Por, me insistimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, e lejuam.
Konsideroj se demonstrimi mbi pendën e Ujmanit ka qenë demonstrim i pastër i logjikës së hegjemonisë politike, por po ashtu edhe kundër çdo rregulli të sigurisë, pasi nuk ka asnjë lloj praktike demokratike që garanton masa të sigurisë për të mbajtur konferencë shtypi mbi pendë.
Gjithsesi, vizita e tij konsideroj se u bë mirë që ndodhi, sepse edhe një herë u dëshmua se liderët e Serbisë po e vazhdojnë traditën e Sllobodan Millosheviqit. Se ata nuk vijnë për të ndihmuar e mbrojtur serbët në Kosovë, por vijnë për ta promovuar vetën. Si gjithmonë me retorikë të vjetër dhe kundër të ardhmes paqësore.
Tentimet për të na bllokuar në ecjen tonë, vizitat e shpeshta me tone provokuese në këto 19 vjet, na dëshmojnë se ne duhet të mendojmë dhe angazhohemi edhe më shumë për forcimin e shtetit të Kosovës.
Ne tani jemi në një fazë tejet të rëndësishme të dialogut me Serbinë. Zhvillimet e këtyre dy ditëve lidhen me fazën finale të dialogut dhe duhet të na bëjnë bashkë të gjithëve që të jemi sa më të përgatitur për sfidat që na presin.
Kosova, qytetarët e saj, edhe sot e kanë dëshmuar se nuk kanë asgjë kundër serbëve. Por, kanë qenë dhe janë kundër sjelljeve provokuese të kujtdo qofshin ato. Dua t’i falënderoj ata për sjelljen e treguar këto dy ditë, e po ashtu edhe Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për një menaxhim të situatës, në përputhje me detyrat dhe ligjet në fuqi.
Ne duam që shteti i Kosovës të ecë përpara, si shtet i pavarur, me integritet territorial të pacenuar dhe që sa më shpejt të bëhet anëtar i barabartë i OKB-së, BE-së dhe NATO-s. Ky vizion duhet të na bashkojë, prandaj edhe sot thërras që të ulemi e punojmë bashkë.
/Epoka e re/