Veseli: Italia në krah të Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të martën në takim presidenten e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, me të cilën ka biseduar për zhvillimet politike, perspektivën evropiane të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë, për marrëdhëniet bilaterale të cilat ekzistojnë midis dy vendeve dhe parlamenteve respektive.
Duke e falënderuar Casellatin për vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës së re, Veseli, ka thënë se Republika e Kosovës i konsideron vlerë të veçantë raportet shumë të mira që ka ndërtuar me shtetin italian.
Ai ka thënë se këto raporte kanë ndikim pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Më tutje, kryeparlamentari Veseli e ka informuar Casellatin se Kosova i ka plotësuar tashmë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe është në prag të marrjes së vendimit pozitiv nga ana e BE-së, ndërsa siç ka thënë ai, në këtë proces, qëndrimi i Italisë është shumë i rëndësishëm.
Ndërsa presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, ka thënë se shteti italian e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Ajo ka thënë se përpos bashkëpunimit politik dhe atë në fushën e sigurisë, Italia do ta mbështesë Kosovën edhe më shumë në fushën ekonomisë.
“Unë do të jem zëri i Kosovës tek korporatat e mëdha italiane që të vijnë e të investojnë në Kosovë”, ka thënë ajo.
Të dy homologët janë dakorduar që marrëdhëniet midis dy parlamenteve të thellohen edhe më tej, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit parlamentar.
Në fund të këtij takimi, presidentja e Senatit italian e ka ftuar kryeparlamentarin Veseli për vizitë zyrtare në Romë.