Veseli: Jemi të gatshëm për zgjedhje, do ta ofrojmë platformën më të mirë politike
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka zhvilluar takim me kryesitë e degëve, ku ka diskutuar rreth mobilizimit të PDK-së për zgjedhjet nacionale.
Veseli ka thënë se PDK-ja ka pasur një proces të brendshëm zgjedhor nga i cili kjo parti është fuqizuar më tutje për t’u ballafaquar me sfidat me të cilat po kalon vendi.
Kryetari Veseli ka theksuar se PDK-ja është e gatshme që të hyjë në zgjedhjet nacionale, do të ofroj platformën më të mirë politike.
“Ne kemi kaluar nëpër një proces demokratik të brendshëm ku kemi zgjedhur strukturat tona dhe jemi të gatshëm për zgjedhje të reja dhe për çdo sfidë nëpër të cilat po kalon vendi dhe do të ofrojmë platformën më të mirë politike”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe do të ofrojë platformën më të mirë politike për qytetarët, një platformë të zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.
“PDK-ja është parti e ndryshimeve të mëdha në vend, parti lider në procese të rëndësishme të pavarësisë dhe konsolidimit të institucioneve tona, e zhvillimit dhe e mirëqenies. Ne jemi gati që të marrim përgjegjësi të reja për vendin, për proceset që e forcojnë ekonomikisht Kosovën dhe e integrojnë atë në familjen e madhe evropiane”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/