Veseli kërkon fuqizimin e ndërmarrësisë së lirë dhe përkrahjen e njerëzve me ide

12 nëntor 2018 | 11:46

Dija, inovacioni dhe ndërmarrësia janë vet dinjiteti i njeriut në kushtet e lirisë si dhe perspektiva e zhvillimi ekonomik mund të vijnë vetëm nga ide inovatore.

Kështu ka deklaruar sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli në ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë e cila u mbajt në Kuvendin e Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Veseli ka thënë se duke përkrahur punësimin e të rinjve, fuqizohet shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës.

Ai ka theksuar se duhet punuar dhe investuar në potencialin e të rinjve tanë në mënyrë që ata ta gjejnë veten dhe të ardhmen në vendin e tyre.

Në funksion të kësaj, Veseli ka thënë se është krijuar edhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë si bartëse e implementimit të politikave inovatore.

“Perspektiva dhe zhvillimi ekonomik mund të vijnë vetëm nga ide që janë inovatore. Ne tradicionalisht asnjëherë nuk kemi pasur përkrahje e cila do ta zhvillonte ekonominë tonë. Përmes iniciativës private, kemi arritur të mbijetojmë”, është shprehur Veseli.

Kreu i Kuvendit ka theksuar nevojën e fuqizimit të ndërmarrësisë së lirë dhe të përkrahjes për njerëzit që kanë ide.

Veseli ka thënë se kapacitetet dhe fondet qeveritare në mbështetje të ndërmarrësisë në Kosovë do të rriten, ngase, sipas tij, është jetike që jo vetëm njerëzit tanë të qëndrojnë në vend, por edhe idetë e mira dhe projektet që sjellin zhvillim duhet t’u krijohen kushte që këtu të gjejnë aplikim.

“Jam shumë i sigurt se më shumë kanë të punësuar kosovarët në vendet perëndimore në sektorin privat, sesa që ka të punësuar në gjithë sektorin publik dhe privat në Kosovë”, ka thënë Veseli.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka shprehur besimin se ky takim, por edhe kjo javë e ndërmarrësisë do t’i shërbejnë transformimit të mënyrës së të menduarit.

“Kosova jonë ka perspektivë. Të rritet sektori i punësimit i të rinjve tanë dhe të fuqizohet shteti i pavarur dhe sovran me të gjitha institucionet e veta”, ka thënë Veseli.

/Epoka e re/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri finlandez, Juha Sipila ka thënë se është duke hetuar…