Veseli kërkon zgjedhje të parakohshme

01 maj 2020 | 19:17

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se partia e drejtuar prej tij, nuk do të përfshihet në pazare dhe se do të vijojë të jetë kundër çdo qeverie të re.

Ai tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka fobi marrëdhënien me SHBA dhe se kjo gjë e ka dëmtuar shumë Kosovën.

Lidhur me deklaratën e bërë nga Kurti se VV është dyfishuar, Veseli tha se kjo është e pavërtetë pasi si VV dhe LDK janë dëmtuar nga kjo situatë e krijuar nga lufta për pushtet.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kishin nisur me mashtrim. Pastaj, në momentin që i fituan zgjedhjet me 6 tetor i zhgënjyen qytetarët e vendit tonë, pikërisht në momentin më të rëndë për qytetarët kur duhet të ballafaqoheshin me pandeminë ata krijuan një krizë që dëmtoi besimin e qytetarëve, po aq sa dëmtoi edhe Kosovën në raport me miqtë më të mëdhenj që ka, që janë SHBA dhe Bashkimi Evropian. Në vend të merreshim me pasojat sociale dhe ekonomike që ka krijuar pandemia dhe të cilat janë shqetësuese, ne sot për shkak të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, po merremi me vetveten”, deklaroi kreu i PDK-së në “EuroNews”.

“Ne e kemi qëndrimin shumë të qartë. Qoftë qeveria Kurti, qoftë qeveria Hoti është një mashtrim, është një vazhdimësi e manipulimit që ka vetëm një përfundim, i cili është dështimi. Kjo për arsye se është dëmtuar shumë Kosova si shtet i pavarur dhe sovran. Janë dëmtuar raportet me miqtë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. E ka dëmtuar shumë Kosovën ballafaqimi me Serbinë”, ka shtuar Veseli.

Kryetari i PDK-së tha se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme. “Nuk ka pazare me Partinë Demokratike të Kosovës, as Albin Kurti, as Avdullah Hoti. Jam i shqetësuar për mënyrën se si ata duan ta ndërtojnë politikbërjen në shtetin tonë. Është e domosdoshme të ketë zgjedhje të parakohshme, përndryshe do të krijohen vështirësi më të mëdha për qytetarët dhe vendin tonë”, tha ai.

Veseli e cilësoi qeverinë mundshme të krijuar nga Avdullah Hoti si vazhdimësi të mashtrimit të qeverisë Kurti dhe nga ana tjetër përjashtoi një koalicion të mundshëm në të ardhmen me LDK-në apo Vetëvendosjen. PDK tha shtroi ai, është parti që ka formuar shtetin e Kosovës së bashku me qytetarët e këtij vendi dhe e ka sjellë deri këtu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juristi Vigan Qorrolli është shprehur i bindur se Gjykata Kushtetuese…