Veseli: Kombi ynë është i veçantë, ka diversitet fetar dhe kulturor

22 korrik 2020 | 19:33

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është përfshirë në debatin lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Ai shprehet pro ndërtimit të Xhamisë në Qendër të Prishtinës, ndërsa shton se Prishtina ka Katedralen e saj të bukur e shumë shpejtë edhe Xhaminë qendrore, ku besimtarët myslimanë do t’i ndjekin ritet e tyre.

“Kombi ynë shqiptar, është i veçantë, se në gjirin e saj ka diversitetin fetar e kulturor të tri besimeve monoteiste. Islami, Katolicizmi dhe Ortodoksizmi, përbëjnë shpirtin e kombit tonë. Me krenari mund të themi se toleranca dhe bashkëjetesa e këtyre besimeve është e natyrshme tek shqiptarët. Kryeqyteti i Republikës së Kosovës e shpërfaq këtë bashkëjetesë. Prishtina ka Katedralen e saj të bukur e shumë shpejtë edhe Xhaminë qendrore, ku besimtarët myslimanë do t’i ndjekin ritet e tyre. Në demokraci, protesta është instrument i garantuar për të shprehur mendimin në mënyrë paqësore dhe si e tillë duhet të mbetet, pa cenuar apo nxitur urrejtje. Unë personalisht kam qenë përkrahës i madh që çdo komunitet fetar ta ketë qendrën e tyre të besimit në kryeqytet. Është praktikë e vendeve demokratike dhe mbi të gjitha, vlerë e popullit tonë. Ta gëzojnë Xhaminë qendrore myslimanët e Kosovës e të luten për shtetin dhe të mirën e popullit tonë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Veseli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka pritur…