Veseli konfirmon përkrahjen e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar vizitën zyrtare në Strasburg për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli është pritur të martën në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, me të cilin ka diskutuar për hapat që pritet të ndërmerren gjatë muajve në vijim, për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
Kreu i Kuvendit të Kosovës ka marrë zotimin e kryetarit të Parlamentit Evropian se janë të gatshëm të procedojnë me vendimin e eurodeputetëve, sapo Komisioni Evropian të dalë me raportin pozitiv për vizat.
“Jam i lumtur të konfirmoj pohimin e presidentit të Parlamentit Evropian se do të kemi përkrahjen e plotë të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Ky është një lajm shumë i mirë. Ne po presim raportin pozitiv në fund të këtij muaji, në të njëjtën kohë pastaj në Parlamentin Evropian do të marrim përkrahjen e nevojshme pro lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Ky është një rrugëtim në disa hallka dhe ne po sensibilizojmë të gjithë akterët në mënyrë që këtë vit qytetarët tanë të mund të lëvizin pa viza gjatë këtij viti”, ka thënë kryeparlamentari Veseli pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka informuar kreun e Parlamentit Evropian për zhvillimet politike në Kosovë dhe për reformat e nevojshme qe po ndërmarrin institucionet e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.
Veseli ka thënë se Kuvendi i Kosovës shqyrton me prioritet të veçantë dhe miraton të gjitha projektligjet që dalin në procesin e integrimeve dhe ka komisionin e posaçëm që trajton përputhshmërinë e të gjitha ligjeve me ligjet e Bashkimit Evropian.
Veseli ka falënderuar Tajanin dhe Parlamentin Evropian në përgjithësi, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe perspektivës evropiane të saj.
Kreu i Kuvendit ka potencuar vendosmërinë e Kosovës për të vazhduar rrugën e saj përpara në agjendën euroatlantike, si prioritet nacional, për të cilin ekziston konsensus i plotë midis subjekteve politike.
/Epoka e re/