Veseli: Kosova duhet të flasë me një zë në dialogun me Serbinë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar për të mërkurën në një takim presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare të LDK-së dhe Vetëvendosjes për t’u koordinuar bashkërisht për dialogun me Serbinë.
Një ditë para këtij takimi, Veseli në një intervistë të shkurtër për “Kosovapress”, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm në raport me dialogun me Serbinë.
“Ne jemi në një periudhë të rëndësishme politike dhe kjo është mëse e qartë. Ka një intensifikim përpjekjesh për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë, nga e cila tashmë është evidente se ne presim asgjë më pak sesa njohjen nga Serbia, anëtarësimin në OKB, si dhe rrugën e qartë të integrimit në NATO dhe BE. Para këtyre zhvillimeve, është obligim primar yni, si përfaqësues politikë të qytetarëve, që të jemi në kulmin e ndërgjegjësimit politik e institucional dhe të kemi një qasje racionale ndaj procesit të Dialogut. Ne duhet t’i lexojmë me kujdes edhe mesazhet e partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që ftojnë për unitet politik, në mënyrë që secili hap i procesit të dialogut të jetë i koordinuar dhe në funksion të arritjes së marrëveshjes që përmbush pritjet tona të drejta. Për këtë arsye, kam kërkuar që i gjithë spektri politik të bashkohet para kësaj përgjegjësie, në mënyrë që të këshillohemi dhe të unifikojmë qëndrimet tona, për t’ia lehtësuar punën edhe ekipit negociator edhe Qeverisë e presidentit, që mënyrë që Kosova ta ketë një perspektivë unike në fazën finale të dialogut”.
“Vlerësoj se pas pavarësisë së vendit, nuk kemi pasur ndonjëherë një rast më të ndjeshëm sesa Dialogu, për të cilin na duhet unitet nacional. Prandaj, vazhdimisht, tash e sa muaj, kam ftuar gjithë spektrin politik për arritjen e konsensusit nacional. Edhe sot i qëndroj prapa idesë për një angazhim të përbashkët, që është i nevojshëm në këtë fazë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon vendi. Refuzimi për të qenë pjesë e takimeve të tilla nga ana e LDK-së dhe Vetëvendosje është për keqardhje. Është shenjë e degradimit të ndërgjegjes politike të këtyre dy partive opozitare. Në rrethana kur kërkohet një qëndrim politik unitar, nuk ka klasifikime të tilla si pozitë dhe opozitë. Pozita dhe opozita definohen nga temat e brendshme lidhur me mënyrën se si e shohim qeverisjen. Por, këtu nuk bëhet fjalë për qeverisjen dhe nuancat e saj. Këtu bëhet fjalë për një qëndrim politik mbi atë se si e shohim ne dhe çfarë presim nga marrëveshja finale me Serbinë. Prandaj, mendoj se kjo sjellje është e papërgjegjshme dhe është dëm i madh që i bëhet vendit dhe shoqërisë sonë në këtë periudhë të rëndësishme”, ka thënë Veseli.
Veseli ka thënë se Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm në raport me dialogun me Serbinë.
“Çdo devijim nga kjo, është përpjekje për të zhvendosur një temë të jashtme që kërkon unitet në një temë të brendshme ndërpartiake, gjë që është e pandërgjegjshme dhe e papranueshme. Në këtë fazë, ne nuk duhet të merremi me njëri-tjetrin, me ligjërime partiake, me pretendime për të dalë moralisht triumfues. Prandaj, mendoj se edhe një seancë tjetër për dialogun, sepse kjo s’është e para, e ftuar nga opozita, është në funksion të komplikimit të mëtejmë të thirrjes për unitet. Në vend se të diskutojmë bashkërisht për Kosovën, ne po ftohemi që të diskutojmë për njëri-tjetrin. Kjo është papërgjegjësi e LDK-së dhe Vetëvendosjes në raport me shtetin e Kosovës. Kjo logjikë i bën dëm momentit në të cilin gjendemi Është e qartë se edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, e së fundi kjo u konfirmua edhe nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kërkojnë nga ne unitet në raport me dialogun. Prandaj, çdo devijim nga përpjekja për unitet është në dëm të Kosovës”, ka deklaruar Veseli.