Veseli: Kosova është mirë kur është mirë Mitrovica

25 shtator 2019 | 17:44

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Kadri Veseli, ka ftuar qytetarët që të bashkohen rreth vizionit të PDK-së

Veseli në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit në Mitrovicë, ku kanë marrë pjesë një numër i madh i simpatizantëve të PDK-së ka kërkuar nga të gjithë që të bëhen bashkë për ta zhvilluar Kosovën.

Ai ka pyetur se kush mund ta zhvillojë dhe çojë përpara Kosovën përpos trashëgimtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, PDK-ja.

Më tutje, Veseli ka thënë se Kosova është mirë kur është mirë Mitrovica.

“Kam zgjedhur Mitrovicën për ta përcjellë qartë dhe fuqishëm mesazhin e Kosovës dhe PDK-së se Kosova është mirë vetëm kur Mitrovica është mirë. E Kosova e Mitrovica janë mirë, kur ky vend i bekuar nga Zoti zhvillohet e ndërtohet më shumë e kur qytetarët janë më të kënaqur me jetën dhe shtetin e tyre. Jam këtu për të bërë hapin e parë drejt 6 tetorit”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se është në Mitrovicë për ta bërë hapin e parë drejt 6 tetorit.

“Kësaj dite historike për Kosovën, kur qytetarët do t’i thonë PO vizionit tonë për ekonominë e dijes dhe inovacionit, do t’i thonë ‘PO’ luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, dhe kur do t’i thuhet ‘PO’ partneritetit të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. ‘PO’, më 6 tetor do ta festojmë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. Fitoren e Kosovës. Fitoren e të rinjve tanë të mrekullueshëm. Vajzave dhe djemve që ëndrrat e tyre do t’i realizojnë në shtetin që meritojnë. Fitoren e grave dhe burrave, nënave dhe baballarëve, nxënësve dhe studentëve, profesorëve dhe intelektualëve, minatorëve, fermerëve, ndërmarrësve, inovatorëve dhe punëtorëve të palodhshëm e të ndershëm. Sepse, ju e dini, kur fiton Partia Demokratike e Kosovës, fitojnë të gjithë. Fiton Kosova! E për të fituar Kosova, duhet të bëhemi bashkë”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë nuk duhet të ketë ndarje, por bashkim me vizionin e PDK-së për ta ndërtuar të ardhmen.

Të ardhmen e një Kosove pa korrupsion e nepotizëm, ka thënë ai, me shanse të barabarta për të gjithë, me ekonomi të fuqishme, me vende pune të qëndrueshme dhe me rininë tonë që jeton këtu.

“Të ardhmen e një Kosove që mbron territorin dhe sovranitetin dhe që fuqizon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Të gjithë ne duhet të bëhemi bashkë si dikur, si atëherë kur rrezikoheshim, dhe të vendosim me tërë fuqinë për ta bërë Kosovën shtet të cilin e kemi ëndërruar”, ka thënë ai.

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/kosovapress/videos/822227004839379/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti,…