Veseli: Kosova ka nevojë për konsensus më të gjerë në procesin e dialogut
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rolin e Kuvendit në këtë proces.
Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se dialogu është alternativa e vetme për zgjidhjen e çfarëdo teme të hapur.
Ai ka thënë se personalisht e njeh edhe rrugën e konfliktit, pasi ka qenë pjesë e luftës çlirimtare, por siç ka theksuar në atë kohë dialogu nuk është pranuar si mjet.
Veseli ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka pasur rezultate të shumta, por edhe probleme pasi shteti serb ende vazhdon të krijojë pengesa të shumta nëpërmjet shpenzimit të dhjetëra miliona eurove në struktura paralele që përpiqen të pengojnë sovranitetin e Kosovës.
Në këtë kontekst, ai ka thënë së Kosova ka nevojë për gjithëpërfshirje në dialogun me Serbinë. “Kosova sot ka nevojë për një konsensus të gjerë politik dhe gjithëpërfshirje në procesin e dialogut. Ne nuk duhet të zhvillojmë luftë të brendshme politike, por duhet të jemi bashkë e të ecim përpara drejt fuqizimit të shtetit tonë dhe integrimeve euro atlantike. Një është e qartë për të gjithë, Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është e vendosur të ecë përpara përkrah aleatëve tanë perëndimorë për të hapur perspektivë të qëndrueshme për qytetarët tanë”, ka deklaruar Veseli.