Veseli: Kosova po bëhet lidere e transformimit infrastrukturor në rajon
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në ceremoninë e përurimit të segmentit të 3-të Bibaj-Doganaj, të autoudhës R6 “Arbën Xhaferi”, e ka cilësuar këtë projekt të jashtëzakonshëm për Kosovën, e cila e bën krenar gjithë popullin e saj.
Veseli ka thënë se Kosova për një kohë rekorde është duke u shndërruar në lider të transformimit infrastrukturor në rajon.
Ai ka shtuar se dy dekada më parë kjo mund të jetë dukur një ëndërr e mirë për Kosovën, e parë në realitet vetëm jashtë saj.
“Sot në Kosovë kjo është realitet. Dhe po ndodhë. Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ është duke hedhur shtat dhe besojmë që deri më 28 nëntor të këtij viti, do të shkojë deri te kufiri me Maqedoninë”, ka theksuar Veseli.
Ai ka thënë se krahas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian, i cili, siç tha Veseli, pritet të ndodhë në fund të këtij viti, Kosova po krijon lidhje të fuqishme dhe moderne infrastrukturore me vendet fqinje dhe ato të BE-së, përfshirë portet e rëndësishme rajonale.
“Kjo është Kosova jonë moderne. Ajo po dëshmohet kampione e rajonit në kompletimin e infrastrukturës moderne për qytetarët e saj dhe të atyre të shteteve fqinje. Kosova tanimë po lidhet me të gjitha korridoret rrugore dhe portet detare. Të gjitha këto lidhje dhe udhëtimi pa viza që do të ndodhë së shpejti tregojnë më së miri shkallën e integrimit tonë me vendet evropiane”, ka thënë Veseli.