Veseli: Krenarë me partneritetin Kosovë-SHBA
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Ndihmës Administratorin e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman.
Në takim i diskutua për mbështetjen e vazhdueshme që populli amerikan, nëpërmjet USAID-it dhe organizatave të tjera, ka dhënë dhe po jep për Kosovën, në rrugën e saj të zhvillimit demokratik dhe shtetndërtimit.
Kryeparlamentari Veseli tha se mbështetja e taksapaguesve amerikanë për Kosovën në vlerë prej 900 milionë dollarësh, ka dhënë efektet e saj pozitive në shumë segmente të jetës në Kosovë.
“Tani, në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, në emrin e gjithë popullit të Kosovës falënderoj të gjithë taksapaguesit amerikanë për këtë mbështetje. Si Kuvend i Kosovës jemi krenarë për partneritetin me USAID-n”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ndihmës Administratori e USAID-it për Evropë dhe Evroazi, Brock Bierman tha se Kosova ka shënuar zhvillim që nga vizita e tij e fundit në Kosovë. Ai tha se ndihet e kënaqur që po merr pjesë në shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Jam këtu për të forcuar raportin me Kosovën dhe të uroj për përparimet që janë bërë që nga vizita e fundit. Jam këtu që një ditë dhe po shoh ndryshime të jashtëzakonshme”, theksoi Bierman.