Veseli: Kriminelët e Serbisë do të dalin para tribubalit ndërkombëtar për vrasjet e shqiptarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së bashkëluftëtarit të tij, heroit Xhavit Haziri.
Veseli ka thënë se 21 vjet më parë kishte ndodhur ndarja e fundit me Xhavit Hazirin.
Ai ka thënë se është emocionale për të, të “ritakohet” sot me Xhavit Hazirin dhe t’i urojë mirëseardhje në qytetin e Obiliqit.
“Nëse ka pasur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ideolog të organizmit dhe veprimeve të armatosura kundër Jugosllavisë, ka qenë pikërisht Xhavit Haziri. I tillë ka rënë edhe në burgun e dytë. Nuk kanë mundur t’ia nxjerrin asnjë fjalë. Në ditën e parë pas burgut, është lidhur prapë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”,ka deklaruar Veseli.
Më tutje, ai ka thënë se jo rastësisht në shtatorin e vitit 1998 qeveria serbe, nëpërmjet organeve të saj, kidnapoi Xhavit Hazirin, për të cilin veprim ai ka thënë se ka dokumente zyrtare.
“Kjo është edhe arsyeja pse e kam nisur çështjen e Tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Jo vetëm të flasim, por ne duhet ta çojmë Serbinë dhe kriminelët e saj në gjykatë dhe aty të gjykohen, sepse aty e kanë vendin”, është shprehur Veseli.
Veseli ka theksuar se rrugëtimi i Xhavit Hazirit, Afrim Zhitisë, Fadil Vatës, komandantit legjendar Adem Jashari, heroit Zahir Pajaziti dhe të gjithë heronjve të tjerë, do të vazhdojë, por ka bërë thirrje për më shumë modesti nga ana e bashkëluftëtarëve.
“Ne bashkëluftëtarët që jemi gjallë, të jemi më modestë, të mos kërkojmë vetëm prej vendit, por të bëjmë më shumë për të. Ne duhet t’u krijojmë më shumë siguri gjeneratave të ardhshme, sepse ky shtet do të jetë i përjetshëm, i pacenuar dhe i zhvilluar ekonomikisht. Sa më pak llafe, sa më pak patriotizëm formal, sa më shumë punë dhe veprimtari patriotike, në mënyrë që ta bëjmë të përjetshëm kujtimin për Xhavit Hazirin dhe komandantin legjendar Adem Jashari”, është shprehur Veseli.
/Epoka e re/