Veseli: Kriza e refugjatëve mund ta rrezikojë padrejtësisht liberalizimin e vizave
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vlerësuar se skepticizmi brenda BE-së në lidhje me krizën e refugjatëve dhe keqpërdorimin e liberalizimit, mund ta rrezikojë heqjen e vizave për Kosovën.
Veseli në “RTK” ka thënë se kjo do të ishte një padrejtësi për Kosovën.
“Mund të na vë në rrezik padrejtësisht liberalizimin e vizave, pse do të duhej të paguanim çmim përderisa ato vende që kanë këso probleme do të vazhdonin të lëviznin lirshëm. Jemi duke siguruar se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të thotë abuzim me lëvizjen e lirë”, ka thënë Veseli.
Sipas Veselit këto probleme nëpër vendet e BE-së e kanë komplikuar situatën.
“Duhet ta pranojë faktin që brenda vetë spektrit të BE-së ka skepticizëm që është duke bartuar nga procesi zgjerimit, njëjtën kohë me këtë procesin e refugjatëve dhe keqpërdorimin në liberalizimin e vizave. Kjo ka krijuar situatë më të komplikuar, e cila dy vite më herët nuk do të ishte vërejtur”, thotë kryeparlamentari Veseli.
“Kjo ndërlidhet me vende si Gjeorgjia, Ukrania por edhe Shqipëria e Maqedonia që kanë qytetarë të shumtë që kërkojnë azil”, theksoi Veseli.
Kryeparlamentari gjithashtu foli edhe për vizitat nëpër vendet e BE-së.
Ai theksoi se po tentojnë t’i bindin vendet e BE-së se Kosova ka nevojë për liberalizimin e vizave.