Veseli: Kuvendi nuk do të lejojë të cenohet autonomia e universiteteve publike
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim rektorët e universiteteve publike në vend.
Me këtë rast, Veseli ka thënë se nuk do të lejojë cenimin e autonomisë të këtyre universiteteve.
“Sot pata një takim me rektorët e universiteteve publike të Kosovës. Shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit në procesin e akreditimit të programeve akademike, janë shqetësime reale dhe duhet të adresohen për zgjidhje, pa humbur kohë. Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike, as nga ndërhyrjet politike dhe as nga interesat e tjera të ndërlidhura me konkurrencën në arsimin e lartë në Kosovë”.
“Kriter i vetëm i konkurrencës duhet të jetë gara për cilësi reale dhe profilizim universitar, në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut. I siguroj studentët e universiteteve publike se të drejtat e tyre do të mbrohen plotësisht! Ata duhet të vazhdojnë të qetë studimet e tyre. Universitetet publike nuk do të mbyllen. Ato vetëm do të zhvillohen edhe më shumë!”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/