Veseli: Lamtumirë hero i Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se mbarë kombi shqiptar është i tronditur nga humbja e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Ai ka thënë se Demaçi jetë në mesin tonë derisa të ekzistojë populli shqiptar.
“Më 17 shkurt të këtij viti, isha për vizite të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha”.
“Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta. Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë. Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë. Ngushëllime, Kosovë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/