Veseli: Liberalizimi nuk duhet të shihet si mundësi për ikje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, thënë se deri në fund të këtij viti, Kosova do ta ketë liberalizimin e vizave pasi ka përmbushur kriteret e nevojshme.
Në këtë drejtim, ai ka theksuar se liberalizimi nuk duhet të shihet si mundësi për ikje, sepse Kosova ka nevojë dhe duhet të zhvillohet nga të rinjtë.
“Prandaj, Dekada e Re bazohet në tri shtylla: besim, zhvillim, integrim. Pa besuar nuk e kishim arritur as lirinë e as pavarësinë. Dekada e Re është transformim ekonomik i Kosovës. Pra të keni besim se bashkë mund ta zhvillojmë dhe integrojmë Kosovën”, ka thënë Veselit të dielën në Kuvendin zgjedhor të Rinisë Demokratike në Suharekë, ku ishte i shoqëruar edhe nga zëvendëskryetari Enver Hoxhaj, ministrat Uran Ismaili, Abelard Tahiri dhe Kujtim Gashi.
Veseli ka thënë para delegatëve të rinj në këtë kuvend se angazhimi kaq i madh i të rinjve tregon se Kosova po transformohet në të mirë të qytetarëve.
“Angazhimi i mbi 20 mijë të rejave e të rinjve në PDK është një tregues shumë i madh se Kosova po ndryshon dhe do të zhvillohet e transformohet edhe më shumë sepse çdoherë që është mobilizuar e angazhuar kanë ndodhur zhvillime të mira në të mirë të vendit. Rinia gjithmonë do ta ketë vendin kryesor në PDK, sepse të rinjtë janë plot energji e ide inovatore për të ardhmen e vendit”, ka thënë Veseli.
Ndërsa, zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se andej nga lëvizë kjo parti, lëvizë edhe Kosova.
“Forca e Kosovës ka qenë gjithmonë rinia. Gjitha zhvillimet pozitive në Kosovë kanë ndodhur me në krye rininë. Andaj dua të ftoj të gjithë të rinjtë që po bëhen pjesë e Dekadës së Re, të përgatiten dhe punojnë për ta forcuar dhe rritur edhe më shumë PDK-në në të gjitha komunat e Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.
Gjatë ditës, PDK-ja do të mbajë edhe disa kuvende zgjedhore të Rinisë Demokratike në qytete të ndryshme të Kosovës.
/Epoka e re/