Veseli: Lufta kundër korrupsionit është e pakompromis
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të enjten në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani, me të cilin ka diskutuar për të gjeturat që kanë dalë nga raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Në takim u vlerësua se Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon te jetë institucioni më serioz sa i përket menaxhimit të parasë publike.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se transparenca dhe llogaridhënia nuk janë vetëm parime kushtetuese sa i përket shpenzimit të parasë publike, por janë detyrime ligjore që çdo institucion duhet t’i ndjekë në përpikëri.
“Shteti i Kosovës humb miliona euro si rezultat i korrupsionit, keqmenaxhimit dhe moszbatimit të drejtë të ligjit për menaxhimin e financave publike. Këto para do mund të përdoreshin për mirëqenin e qytetarëve tanë, duke investuar në arsim, shëndetësi dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Zyra e Auditorit dhe Auditori i Përgjithshëm do ta ketë mbështetjen time për ruajtën e parasë publike dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka theksuar kryeparlamentari Veseli.
Ai ftoi Prokurorinë e Shtetit që t’i shikojë me vëmendje të gjeturat e raporteve të Zyrës së Auditorit për të gjitha institucionet dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme ndaj keqpërdoruesve të parasë publike.
“Lufta kundër korrupsionit është e pakompromis dhe ne do t’i shkojmë deri në fund”, ka thënë Veseli.
/Epoka e re/