Veseli: Masakra e Srebrenicës, një prej krimeve më mizore në Evropën e pasluftës së dytë botërore
Në 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, kryetari i Kuvendit të Kosovës njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se kjo masakër është një prej krimeve më mizorë që kanë ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai ka theksuar se masakra e Srebrenicës nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit të atëhershëm serb.
Veseli ka rikujtuar se vetëm tri vjet pas Srebrenicës, të njëjtat pamje të mizorisë u shfaqën në fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
“Sot në përvjetorin e 24-të, ne i bashkohemi përkujtimit të masakrës së Srebrenicës, një prej krimeve më mizore në Evropën e pasluftës së dytë botërore. Kjo masakër nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit të atëhershëm serb. Vetëm tre vjet pas Srebrenicës, të njëjtat pamje të mizorisë u shfaqën në fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Dhe ndonëse kanë kaluar dekada, drejtësia ende nuk është vendosur, por koha nuk e zhvlerëson krimin dhe as drejtësinë. Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/